Kalo te përmbajtja

Politika e privatësisë

Përditësimi i fundit: e premte, 13 nëntor 2026

1. Kush është përgjegjës

DashDotSystems SH.P.K. (NUI 812460880), Ramë Bugujevci 5, Fushë Kosovë, Kosovë ("Termino", "ne") është kontrolluesi i të dhënave për llogarinë tuaj dhe për përdorimin e platformës. Kontakti për privatësinë: termino@dashdotsystems.com.

Biznesi te i cili rezervoni është kontrollues më vete për të dhënat e rezervimit që merr. Për rezervimet që biznesi i shton vetë, shënimet e ekipit dhe shënimet për klientët, Termino vepron si përpunues në emër të biznesit.

Zbatojmë Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Kosovës. Për personat në Bashkimin Evropian dhe në ZEE zbatohet edhe GDPR-ja.

2. Çfarë mbledhim

  • Llogaria: numri i telefonit, emri, email-i (për hyrje dhe, pasi ta konfirmoni me lidhjen që ju dërgojmë, për lidhjet e rivendosjes së fjalëkalimit), fjalëkalimi (ruhet vetëm i koduar në mënyrë të pakthyeshme, si hash me kripë — vetë fjalëkalimin nuk e shohim kurrë), gjuha, cilësimet e kujtesave, pëlqimi për marketing, si dhe versioni i kushteve që keni pranuar dhe koha kur e keni pranuar (bashkë me konfirmimin e moshës).
  • Rezervimet: biznesi, shërbimi, specialisti ose burimi (p.sh. fusha), data, ora dhe kohëzgjatja, çmimi i llogaritur, numri i personave, statusi, nëse rezervimi është pjesë e një termini javor, shënimi që i shkruani biznesit, arsyet e anulimit, propozimet dhe historia e ndryshimeve.
  • Lista e pritjes, vendet e ruajtura dhe vlerësimet që jepni (nota, etiketat dhe komenti).
  • Njoftimet në aplikacion dhe identifikuesi i pajisjes për njoftimet push (tokeni).
  • Bisedat me bizneset: mesazhet (teksti, koha, nëse janë lexuar), si dhe bllokimet dhe raportimet që bëni.
  • Të dhëna teknike dhe të sigurisë: adresa IP, lloji i pajisjes ose i shfletuesit, regjistrat e hyrjeve dhe të veprimeve të rëndësishme, si dhe regjistri i mesazheve të dërguara (marrësi dhe lloji, jo përmbajtja).
  • Për ekipet e bizneseve: roli juaj në biznes, si dhe të dhënat e biznesit (emri, adresa, telefoni, oraret, shërbimet, fotot).

Fjalëkalimet, kodet e verifikimit dhe lidhjet e rivendosjes së fjalëkalimit dhe të konfirmimit të email-it ruhen vetëm të koduara në mënyrë të pakthyeshme (hash), kurrë si tekst i lexueshëm.

3. Çfarë nuk mbledhim

Nuk mbledhim vendndodhjen tuaj, kontaktet tuaja, të dhëna karte ose pagese. Nuk përdorim reklama, cookie reklamuese ose mjete analitike që ju ndjekin. Aplikacioni kërkon qasje në kalendar vetëm kur zgjidhni "Shto në kalendar", dhe vetëm për ta shtuar terminin.

4. Pse i përdorim dhe mbi çfarë baze ligjore

  • Për t’ju identifikuar dhe për të krijuar e menaxhuar rezervimet, listën e pritjes dhe kujtesat — përmbushja e kontratës me ju.
  • Për sigurinë dhe për parandalimin e abuzimit dhe të mashtrimit (p.sh. kufijtë për kodet SMS dhe për rezervimet) — interesi ynë legjitim.
  • Për njoftimet push — pëlqimi që jepni në pajisje; mund ta tërhiqni te Cilësimet ose te cilësimet e pajisjes.
  • Për t’ju dërguar mesazhe marketingu — vetëm me pëlqimin tuaj, të cilin mund ta tërhiqni në çdo kohë.
  • Për të regjistruar se cilin version të kushteve keni pranuar dhe kur — detyrimi ligjor dhe interesi ynë legjitim për ta vërtetuar këtë.
  • Për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kërkesat e autoriteteve — detyrimi ligjor.

Nuk marrim vendime që bazohen vetëm në përpunim të automatizuar dhe që kanë efekte ligjore për ju. Rregullin që rezervimet e klientëve të rinj kanë nevojë për konfirmim e cakton biznesi.

5. Çfarë sheh biznesi

Biznesi te i cili rezervoni sheh emrin dhe numrin tuaj të telefonit, rezervimin dhe shënimin tuaj, vlerësimin që i jepni dhe historinë tuaj me të (terminet, anulimet e vona, mosparaqitjet). Biznesi mund të mbajë shënime të brendshme për ju, të cilat nuk ju shfaqen. Anëtarët e ekipit me rolin Staf e shohin numrin tuaj pjesërisht të fshehur. Biznesi nuk e sheh email-in tuaj.

Vlerësimet publike (jo ato "Vetëm për biznesin") i sheh kushdo në faqen e biznesit, me emrin tuaj dhe inicialin e mbiemrit, datën, notën, komentin dhe përgjigjen e biznesit. Nëse raportoni një vlerësim, ruajmë arsyen dhe llogarinë tuaj për ta shqyrtuar raportimin; biznesi dhe autori nuk shohin se kush e raportoi.

Nëse i shkruani një biznesi në bisedë, ekipi i tij (pronari, menaxherët dhe stafi) sheh emrin tuaj dhe mesazhet tuaja.

6. Kur rezervon për ju dikush tjetër ose vetë biznesi

Kur biznesi shton për ju një rezervim ose një termin javor (me telefon ose në vend), ose kur dikush tjetër rezervon për ju, emrin dhe numrin tuaj i marrim prej tyre, jo prej jush. I përdorim vetëm për atë termin: mund t’ju dërgojmë në atë numër konfirmimin, ndryshimet dhe kujtesat. Ai që ka rezervuar për ju duhet t’jua bëjë të ditur. Nëse nuk doni t’i merrni këto mesazhe, kontaktoni biznesin ose na shkruani.

7. Ekipet e bizneseve dhe stafi i Termino-s

Pronari ose menaxheri i një biznesi shton anëtarë të ekipit me numrin e tyre të telefonit; anëtarët e ekipit i shohin emrat dhe rolet e njëri-tjetrit. Regjistrojmë se kush në ekip ka kryer veprimet e rëndësishme (p.sh. një anulim), për siguri dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Stafi i autorizuar i Termino-s i sheh të dhënat vetëm kur është e nevojshme: për t’iu përgjigjur një kërkese për mbështetje ose një raportimi, për siguri dhe për parandalimin e mashtrimit, ose për një kërkesë ligjore.

8. Ofruesit e shërbimeve

I ndajmë të dhënat vetëm me ofruesit që na ndihmojnë ta ofrojmë shërbimin, të cilët veprojnë sipas udhëzimeve tona dhe me kontrata për përpunimin e të dhënave:

  • Supabase — baza e të dhënave dhe ruajtja e fotove të bizneseve (pothuajse të gjitha të dhënat e mësipërme), në Bashkimin Evropian (Irlandë).
  • Hostinger — strehon serverin e faqes dhe të API-së.
  • Sent.dm dhe Infobip — dërgojnë kodet e verifikimit dhe mesazhet SMS/Viber (numri i telefonit dhe mesazhi).
  • Expo, Google (Firebase Cloud Messaging) dhe Apple (APNs) — dërgojnë njoftimet push (identifikuesi i pajisjes dhe njoftimi).
  • Ofruesi ynë i email-it — dërgon lidhjet për konfirmimin e email-it dhe për rivendosjen e fjalëkalimit, si dhe kujtesat me email nëse i keni zgjedhur (adresa e email-it dhe mesazhi).

Të dhënat i ndajmë edhe me autoritetet kur e kërkon ligji. Nuk i shesim kurrë të dhënat tuaja.

9. Transferimet jashtë Kosovës

Disa ofrues i përpunojnë të dhënat jashtë Kosovës: baza e të dhënave është në BE, ndërsa Google, Apple dhe Expo kanë seli në SHBA. Kur të dhënat transferohen, mbështetemi në masat mbrojtëse që kërkon ligji, si klauzolat standarde kontraktuale ose vendimet për përshtatshmërinë e mbrojtjes.

10. Sa gjatë i ruajmë

  • Llogaria dhe rezervimet: për sa kohë keni llogari.
  • Kur e fshini llogarinë: emri, telefoni, email-i, fjalëkalimi dhe shënimet hiqen menjëherë; rezervimet e ardhshme anulohen; rezervimet e kaluara mbeten te biznesi vetëm si "Përdorues i fshirë", pa asgjë që t’ju identifikojë.
  • Kodet e verifikimit dhe lidhjet e rivendosjes së fjalëkalimit dhe të konfirmimit të email-it: 1 ditë. Sesionet e mbyllura: 30 ditë.
  • Mesazhet e bisedave: për sa kohë keni llogari dhe biznesi është në Termino; fshihen bashkë me llogarinë tuaj.
  • Regjistri i mesazheve të dërguara: 90 ditë. Njoftimet e lexuara: 180 ditë.
  • Regjistrat e sigurisë dhe të veprimeve: 2 vjet, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për siguri.
  • Kopjet rezervë të bazës së të dhënave mbishkruhen automatikisht brenda ciklit të tyre.

Rezervimet dhe terminet javore që një biznes i ka shtuar vetë me numrin tuaj janë të dhëna të biznesit: për to drejtojuni biznesit.

Mund t’i mbajmë të dhënat më gjatë kur e kërkon ligji, ose kur na duhen për një hetim sigurie apo për një pretendim ligjor të hapur.

11. Të drejtat tuaja

Sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (dhe GDPR-së, kur zbatohet) keni të drejtën e qasjes, të korrigjimit, të fshirjes, të kufizimit të përpunimit, të bartjes dhe të kundërshtimit, si dhe të drejtën ta tërhiqni pëlqimin. Emrin dhe email-in mund t’i ndryshoni te Cilësimet; po aty mund t’i shkarkoni të dhënat tuaja (skedar JSON) ose ta fshini llogarinë. Mund të na shkruani edhe në termino@dashdotsystems.com. Përgjigjemi brenda 30 ditëve.

Keni të drejtë të paraqitni ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) në Kosovë dhe, nëse jetoni në BE ose në ZEE, në autoritetin për mbrojtjen e të dhënave të vendit tuaj.

12. Siguria

Përdorim enkriptim gjatë transmetimit (HTTPS), fjalëkalime dhe kode verifikimi të koduara në mënyrë të pakthyeshme (hash), bllokim pas shumë përpjekjeve të gabuara, sesione me tokenë që ndërrohen rregullisht, qasje të kufizuar sipas rolit dhe regjistra auditimi. Në telefon, sesioni ruhet në hapësirën e sigurt të pajisjes (Keychain/Keystore). Asnjë sistem nuk është plotësisht i sigurt; nëse ndodh një cenim i sigurisë që ju vë në rrezik, ju njoftojmë juve dhe autoritetin përkatës, siç e kërkon ligji.

13. Fëmijët

Termino nuk është për persona nën 16 vjeç; moshën e konfirmoni kur hyni për herë të parë. Kur një prind rezervon për një fëmijë, përdoruesi është prindi dhe ai përgjigjet për të dhënat që shkruan. Nëse mësojmë se një llogari i përket dikujt nën 16 vjeç, e fshijmë.

14. Cookie-t dhe ruajtja në pajisje

Përdorim vetëm cookie dhe ruajtje lokale të domosdoshme: një cookie të sigurt (HttpOnly) që ju mban brenda llogarisë, cookie-n e gjuhës, një shenjë që tregon se keni sesion, çelësin e rezervimit që po bëni dhe skicën e regjistrimit të biznesit (fshihet kur dilni). Në aplikacion ruajmë sesionin, gjuhën dhe një kopje të rezervimeve të ardhshme për përdorim pa internet. Për këto nuk kërkohet pëlqim; nuk përdorim cookie reklamuese ose analitike.

15. Ndryshimet e kësaj politike

Për ndryshime thelbësore ju njoftojmë në aplikacion ose me email para se të hyjnë në fuqi, dhe përditësojmë datën në krye.

Politika e privatësisë — si i mbrojmë të dhënat | Termino